TV ROZAFA - Ne jemi kudo!

Switch to desktop Register Login

Kompania celulare "Plus"

Kompania më e re e telefonisë celulare “Plus”, që është operatori i vetëm në vend me aksionerë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova ka zgjedhur vigjiljen e ditës së pavarësisë për të inauguruar qendrën e saj të parë teknologjike. Në këtë qendër, që u inaugurua nga kryeministri Sali Berisha, celulari “Plus” ka instaluar teknologjinë më moderne të telekomunikacionit, pasi synon që, me shtrirjen e rrjetit në të gjithë vendin, t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë shërbimet më cilësore dhe më konkurruese në treg. “Inaugurimi i sotëm përbën një arritje të madhe, në njërin prej tregjeve që është shndërruar sot në një nevoje jetike, njëlloj si buka e përditshme për njeriun modern. Shkalla e përdorimit të celularit është mbi dyfishuar dhe rritur me shpejtësi”,- tha Berisha. Duke përgëzuar qëllimin e celularit “Plus” për t’u shëndërruar në operatorin celular lider në tregun shqiptar, që përmbush nevojat e konsumatorëve jo vetëm me koston, por edhe me cilësinë e shërbimeve nëpërmjet teknologjive të reja, kryeministri Berisha, i njohu qeverisë së tij meritën për hapjen e tregut të telefonisë celulare në Shqipëri edhe si një përmbushje e premtimit të tij të hershëm elektoral.

Përurimi
“Plus Communication Sh.A”, operatori i vetëm shqiptar, përuroi dje qendrën e tij të parë Teknologjike në vigjilje të festës së Pavarësisë së vendit. Kjo Qendër përbën një investim të rëndësishëm pasi në të është instaluar teknologjia më bashkëkohore e telekomunikacionit, e cila operohet nga një staf tërësisht shqiptar. “Plus”, operatori celular më i ri në vend është një ndër investimet më të rëndësishme të komunitetit biznesit, duke përfshirë disa prej bizneseve më të suksesshëm shqiptare si “Post Telekomunikacionin e Kosovës” (PTK), “Aci-Enginering”, “Union Group sh.p.k”, “Albanian Drink Distribution”, “Balfin”, “Brunes”, Lutfi Nuriu, Luan Leka, “Euro-Alba EA”, Ahmet Muçaj, “Energysolution”, Vllasi Dollani, “Jon Investment”, Bukurosh Stafa dhe Genc Turku. Në emër të aksionerëve të PLUS Kryetari i Bordit Drejtues, Petraq Shomo tha gjatë ceremonisë së prerjes së shiritit: “Ne jemi krenarë që me sinergjitë e krijuara mes nesh si biznese të suksesshme shqiptare kemi ngritur një kompani si PLUS. Këto sinergji kurorëzohen sot me përurimin e Qendrës tonë Teknologjike, e pajisur me teknologjinë më të fundit në nivel ndërkombëtar. Këtë krenari duam ta ndajmë me ju, sot në një ditë të shënuar dhe kuptimplotë siç është dita e pavarësisë së Shqipërisë, dita e vlerave kombëtare. Sepse, ‘Plus’ mbi të gjitha, udhëhiqet nga vlerat. Një nga vlerat më të rëndësishme të PLUS lidhet me të qenit një kompani tërësisht shqiptare, që për ne përkthehet në më shumë investime, më shumë vende pune direkte dhe indirekte, ri-investim kapitalesh në Shqipëri dhe mbi të gjitha më shumë vlerë për biznesin dhe kombin shqiptar”.

Ofertat
Në prag të pavarësisë, “Plus” komunikon paketat më konkurruese për biznesin, që përmbushin më së miri nevojat për komunikim të gjithanshëm dhe të plotë, duke siguruar në të njëjtën kohë kontroll mbi kostot dhe fleksibilitet të lartë. Prej disa muajsh, “Plus” ka hedhur në treg shërbimet e tij dhe çdo ditë e më tepër po shtrin sinjalin në mbarë territorin shqiptar duke pasuruar në të njëjtën kohë portofolin e shërbimeve. “Puls” ka për synim të rrisë konkurrencën në treg dhe të fitojë besimin e konsumatorëve shqiptarë për cilësinë, larminë dhe çmimet më konkurruese. “Plus” ka investuar 63 milionë euro, nga të cilat 28 milionë euro janë investim i aksionerëve dhe 35 milionë euro janë pjesë e një kredie sindikale firmosur me 4 banka lokale. Vlera e investimit deri në fund të vitit të ardhshëm pritet të arrijë 100 milionë lekë.

Share

Copyright © 2013 TV ROZAFA - Ne jemi kudo!. All Rights Reserved. Designed by Keminet.net

Top Desktop version